Regjistrimet 2026
📋 Listat e nxënësve të pranuar në vitin e parë për vitin shkollor 2026/2027.
Të gjithë nxënësve të pranuar u urojmë mirëseardhje dhe shumë suksese në rrugëtimin e tyre arsimor!


Me rastin e 7 Marsit- Ditës së Mësuesit u organizua Akademi Solemne nga Komuna e Strugës në bashkëpunim me shkollat e mesme të Strugës në “Pallatin e Kulturës”.
Konfuci thotë: “Nëse do një shtet të fortë, duhet të ndërtosh më parë mendjen dhe shpirtin e njerëzve të tij- dhe këtë e bëjnë mësuesit”.
Me rastin e 7 Marsit- Ditës së Mësuesit u organizua Akademi Solemne nga Komuna e Strugës në bashkëpunim me shkollat e mesme të Strugës në “Pallatin e Kulturës”.
Nga gjimnazi ynë morën pjesë nxënëset: Mesete Ahmeti me poezinë “Gjuha Shipe” të Ismail Kadaresë, Elona Pollozhani me poezinë “Gjuha Shqype” të Gjergj Fishtës dhe Alba Taraneshi interpretoi poezinë “Mundja e Lek Dukagjinit”.
Programin e udhëhoqi nxënësja Altina Labënishti.
Gëzuar 139 vite Arsim Kombëtar!



Për nder të festave 7-8 Marsit në gjimnazin “Dr. Ibrahim Temo”, u realizua program kulturoro-artistik.
Për nder të festave 7-8 Marsit në gjimnazin “Dr. Ibrahim Temo”, u realizua program kulturoro-artistik. Në fjalën përshëndetëse drejtoresha zonja Rajmonda Mamudi Shej iu uroj suksese nxënësve dhe mësimdhënësve.
7 Marsi është dita kur përulemi me mirënjohje para atyre që na mësuan shkronjat e para, që na hapën dritaret e dijes dhe na treguan se drita më e fortë është ajo e mendjes, ndërsa 8 Marsi na përkul me respekt para gruas, nënës, mësueses, motrës e vajzës, të cilat janë shtylla të familjes dhe shoqërisë.
Ndërkaq figura e Ibrahim Temos na kujton se përparimi vjen nga arsimi, nga guximi për të menduar lirshëm dhe nga respekti për dinjitetin njerëzor. Ai besonte në fuqinë e dijes dhe në përparimin e shoqërisë përmes edukimit. Vlera që sot mishërohen te mësuesit dhe te gratë që frymëzojnë brezat e rinj.
Nxënësit të cilët morën pjesë në këtë aktivitet ishin:
Elsa Maksuti, Zerina Bajrami, Mesete Ameti, Bleran Bajrami, Elona Pollozhani, Medina Alla, Alba Kondri, Florensa Shate, Jeta Pollozhani, Sara Kaba, Alba Taraneshi, Alejna Ameti.
Programin e udhëhoqi nxënësi Arvin Mehmeti.









ABILITY AWARDS 2025
Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Drejtoresha e SHMK Gjimnazi "Dr. Ibrahim Temo" Strugë, Besime Jonuzi, pati nderin të marrë pjesë në ABILITY AWARDS 2025.
Në një atmosferë të mrekullueshme u prezantuan 124 personalitete të jashtëzakonshme, tregimet e të cilëve janë një kujtesë se kufijtë ekzistojnë vetëm kur ne ua lejojmë. Një nga këto personalitete ishte edhe Drejtoresha e SHMK Gjimnazi "Dr. Ibrahim Temo" Strugë, Besime Jonuzi, e cila jep vazhdimisht mbështetje për këto iniciativa si pjesë e programit të saj, me një qëllim të qartë – për të avancuar përfshirjen dhe mundësitë e barabarta në shkollën tonë.
Drejtoresha Besime Jonuzi ishte e nominuar dhe e mori çmimin si një ndër pjesëmarrëset më frymëzuese, të cilat me shembullin e tyre po e ndryshojnë mënyrën se si e kuptojmë përfshirjen. Projekti i saj i fundit, "Ndërtimi i ashensorit dhe shkallëve lëvizëse për fëmijët me aftësi të kufizuara në shkollën tonë", është dëshmi se ndryshueshmëria nuk është pengesë, por pasuri që na bashkon.
Pjesë nga fjala e Drejtoreshës në ngjarje:
("TË NDERUAR
Për mua është nder i jashtëzakonshëm ky nominim dhe ky çmim si drejtoreshë e një shkolle që sot po transformohet në një hapësirë të vërtetë gjihëpërfshirje.
Ky vlerësim nuk është vetëm personal – është vlerësim për punën tonë të përbashkët.
Dua të ndaj një moment që më ka prekur thellë
Në nëntor të vitit të kaluar, gjatë një manifestimi në Strugë një nënë me dy djem të mrekullueshëm që lëviznin me karrocë m’u afrua dhe më pyeti me shumë shpresë:
DJALI IM DO TË VIJË NË GJIMNAZIN TUAJ . A KENI KUSHTE QOFTË EDHE MINIMALE QË AI TË NDJEHET I BARABARTË?
Ajo pyetje më goditi në zemër, sepse çdo nënë ka të drejtë të shohë fëmijët e saj të ecin përpara, dhe çdo fëmijë ka të drejtë të ketë qasje të barabartë në arsim.
Aty vendosa – në shkollën tonë nuk do të flitej më për MUNDËSI por për DETYRIM. Detyrimi për të krijuar kushte, për ti hapur dyert për të mos lënë askënd jashtë.
Sot jam krenare që kemi realizuar projekte që ndryshojnë jetë:
Ashensorin
Platformën lëvizëse pëer shkallët
Toalete të përshtatur për nxënës me aftësi ndryshe
Ky projekt, me rendesinë dhe vlerën e saj i la nën hije të gjithë projektet e tjera të realizuara gjatë 8 viteve të kaluara.
Djali i asaj nëne sot është nxënës në shkollën tonë.
Këto nuk janë thejsht investime – janë mesazhe, janë premtime të mbajtura, janë prova se shoqëria ndryshon ku duam dhe ku punojmë fort për ta bërë të drejtë për të gjithë.
Ky nominim më motivon të vazhdoj me përkushtim dhe më të madh të ndërtojmë shkolla ku çdo nxënës pavarësisht sfidave, të ndjehet i pranuar i respektuar dhe i vlerësuar.
Ju faleminderit nga zemra për besimin, për rrugëtimin e bukur që kemi nisur së bashku – KY ËSHTË VETËM FILLIMI. Faleminderit")







S H P A L L J E Për rregjistrimin e nxënësve në vitin e parë në SHMK Gjimnazin Dr.Ibrahim Temo-Strugë për vitin shkollor 2025/2026
S H P A L L J E
Për rregjistrimin e nxënësve në vitin e parë në SHMK Gjimnazin Dr.Ibrahim Temo-Strugë për vitin shkollor 2025/2026
Paraqitja dhe regjistrimi i nxënësve do të bëhet në një afat regjistrimi me dy paraqitje në muajin qershor. Paraqitja e nxënësve do të kryhet në formë elektronike në linkun e lëshuar nga portali për shërbime elektronike të Ministrisë për arsim dhe shkencë http://e-uslugi.mon.gov.mk me paraqitje speciale për shkollat e mesme me adresat personale te nxënësve në schools.mk
Paraqitja e parë elektronike e nxënësve në afatin e qershorit do bëhet në datat:
Prej orës 00:00 14 qershor të vitit 2025 deri më 17 qershor në ora 23:59
Dorëzimi i dokumentacionit të nevojshëm në shkolla bëhet më 18 qershor nga ora 08:00
deri në orën 19:00 dhe më 19 qershor të vitit 2025 nga ora 08:00 deri në orën 17:00. Renditja përfundimtare me rezultatet nga regjistrimi dhe vendet e lira çdo shkollë e publikon më 20 qershor të vitit 2025, më së voni deri në ora 12:00 në vend publik në shkollë dhe/ose në faqen zyrtare të shkollës.
Paraqitja e dytë elektronike e nxënësve do të bëhet prej më 30 qershortëvitit 2025prejorës 00:00 derinëorën23:59.
Dorëzimi i dokumentacionit të nevojshëm në shkolla bëhet më datë 1 korrik nga ora 10:00- 19:00 .
Renditja e listës përfundimtare me rezultatet e regjistrimit dhe vendet e lira secila shkolla do ta publikojë më 2 korrik të vitit 2025, më së voni deri në ora 12:00 në vend publik në shkollë dhe/ ose në faqen zyrtare të shkollës.
Nxënësit të cilët dërgohen në riprovim korrigjues , provim vjetor, provime për përparim më të shpejtë, mund të regjistrohen në shkollat ku ka vende të lira pas afatit të regjistirmit me dy aplikime.
Regjistrimi i nxënësve do të bëhet më datë 21 gusht të vitit 2025 nga ora 00:00 deri në orën 15:00.
- Dorëzimi i dokumentacionit të nevojshëm në shkolla bëhet me datë 21 gusht të vitit 2025 nga ora 08:00 deri në orën 17:00.
- Listën përfundimtare ranguese me rezultatet e regjistrimit, secila shkollë do ta publikojë më 22 gusht të vitit 2025, më së voni deri ora 10:00.
Pas publikimit të listës ranguese përfundimtare me rezultatet e regjistrimit, nxënësit që nuk janë regjistruar në shkollë, janë të obliguar të tërheqin të gjithë dokumentacionin e dorëzuar në shkollë brenda 24 orëve, dhe shkollat kanë detyrimin t'ua kthejnë dokumentacionin e plotë nxënësve brenda 24 orëve.
KRITERIUMET PËR ZGJEDHJEN E NXËNËSVE
Kriteriumet për zgjedhjen e nxënësve janë:
- suksesi mesatar i nxënësit prej klasës VI deri në klasën IX;
- suksesi mesatar i nxënësit i arritur në katër lëndët mësimore (gjuhë amtare, gjuhë e huaj dhe dy lëndë mësimore që janë të rëndësishme për drejtimin arsimor).
-diplomë për marrjen e vendit të I, II dhe III në gara ndërkombëtare (gjuhë amtare, gjuhë të huaj, si dhe lëndë të cilat janë të rëndësishme për drejtimin-lëminë e zgjedhur).
-vlera mesatare e pikëve të fituara nga sjellja.
Nëse në shkollë paraqitet numër më i madh i nxënësve nga numri i planifikuar me numër të njëjtë të pikëve, në shkollë do të organizohet testim kualifikues nga lëndët mësimore të rëndësishme për drejtimin arsimor.
Për suksesin mesatar prej klasës VI deri në klasën IX, nxënësi mund të marrë më së shumti 50 pikë (suksesi mesatar nga klasa e gjashtë, e shtatë,e tetë dhe e nëntë mblidhet, ndahet në katër dhe i njëjti numër shumëzohet me koeficientin 10).
Për suksesin mesatar të arritur në katër lëndët e propozuara mësimore ( gjuhë amtare, gjuhë të huaj, dhe dy lëndë të rëndëmishme për drejtimin), nxënësi mund të marrë më së shumti 20 pikë (5 pikë për secilën lëndë mësimore).
Për fitimin e garave në nivel ndërkombëtar dhe gara republikane nxënësi mund të marrë më së shumti 5 pikë. (për vend të I në gara ndërkombëtare 5 pikë, për vend të parë në gara republikane 3 pikë, për vend të dytë 2 pikë, për vend të tretë 1 pikë). Nxënësit i vlerësohet vetëm njëra diplomë që ka më shumë pikë.
Për vlerën mesatare për sjelljen nga klasa e VI deri në klasën e IX nxënësi mund të marrë më së shumri 5 pikë. (sjellja shembullore vlerësohet me 5 pikë, sjellja mirë vlerësohet me 3 pikë dhe sjellja e pakënaqshme me 0 pikë. Mesatarja e sjelljes nga klasa e gjashtë, shtatë, tetë dhe e nëntë ndahet me 4).
Nxënësi sipas të gjitha kriteriumeve të përcaktuara me këtë Shpallje mund të marrë më së shumti 80 pikë.
Numri minimal i pikëve i përcaktuar për planin dhe programin e caktuar për afatin e parë të regjistrimit, paraqitja e parë, janë pjesë përbërëse e kësaj Shpallje.
Për nxënësit të cilët klasën e nëntë e kanë kryer në Maqedoni, ndërsa një, dy ose tri klasë (VI,VII dhe VIII) i kanë kryer në botën e jashtme, për ata vite merret suksesi mesatar nga klasa e nëntë dhe të njëjtat kriteriume aplikohen me rastin e përcaktimit të pikëve nga katër lëndët mësimore.
KUSHTET PËR RREGJISTRIMIN E NXËNËSVE
Rregjistrimi i nxënësve në Shkollë në vitin shkollor 2025/2026 do bëhet me kushtet dhe mënyrën e paraparë me Ligjin mbi arsimin e mesëm dhe me këtë Konkurs-shpallje.
Vendosja dhe udhëtimi pa pagesë nuk do jetë i siguruar për nxënësit të cilët kanë zgjedhur atë lloj arsimimi të gjimnazit që ve]se ekziston në komunën ose regjionin e tyre.
Mësimi ndiqet në gjuhën maqedonase dhe shkrimin kirilik, gjuhën shqipe, gjuhën turke.
Kushtet për rregjistrimin e nxënësve janë:
- ta kenë kryer shkollën fillore;
- të mos jenë më të vjetër se 17 vjet;
- të jenë të përcaktuar për planin dhe programin për arsimin e gjimnazit;
- t’i plotësojnë kriteriumet e përcaktuara me këtë Shpallje.
Nxënësit me përkatësi rome mund të rregjistrohen edhe nëse kanë 10 % më pak pikë se sa ato të parapara me këtë shpallje.
DOKUMENTET E NEVOJSHME PËR RREGJISTRIM
Pas shpalljes së rang litsës, nxënësit të cilët janë në listë dorëzojnë dokumentet në vazhdim:
- fletëparaqitjenpër regjistrim(fleteparaqitja është e përgatitur nga Ministria për arsim dhe shkencë dhe publikohet në web faqen zyrtare te ministrisë)
- dëftesat origjinale prej klasës VI deri në klasën e IX;
- diploma (në rast se ka)nga gara të fituar (vendi I, II dhe III) nga gara ndërkombëtare, shteterore dhe regjionale (gjuhe amtare, gjuhe te huaj, shkenca natyrore-matematikë, kimi, fizikë,
- Sertifikatë nga libri amë i të lindurve (pa marrë parasysh datën kur është lëshuar).
SHMK Gjimnazi Dr.Ibrahim Temo-Strugë Drejtor
Besime Jonuzi
Bisedë me shkas me profesorin Përparim Hani
Një jetë në shërbim të dijes
Biseduan: 
Edona Islami
Elda Dauti
Çfarë ju ka frymëzuar të zgjidhni profesionin e mësuesit?
Që në fëmijëri, profesioni i mësuesit më ka tërhequr shumë. Djali i dajës ishte mësues në shkollën fillore dhe gjithmonë më fliste për bukurinë dhe rëndësinë e kësaj pune. Ai, së bashku me familjen time, më inkurajoi që të vazhdoja shkollimin e mesëm dhe të lartë për të ndjekur këtë rrugë. Për mua, të ndihmoja brezat e rinj të mësonin dhe të rriteshin intelektualisht ishte diçka e bukur, dhe me kalimin e viteve, kuptova që kisha bërë zgjedhjen e duhur.
Cilat janë disa nga momentet më të paharrueshme gjatë viteve tuaja të mësimdhënies?
Gjatë gjithë këtyre viteve, kam përjetuar shumë momente të bukura dhe të paharrueshme. Një nga më të veçantat ka qenë shëtitja me vitet e treta dhe mbrëmjet e maturës, kur nxënësit po përgatiteshin për të hyrë në një kapitull të ri të jetës së tyre. Ishte një ndjenjë krenarie dhe emocioni i veçantë të ndaja me ta këshilla pozitive për të ardhmen. Më pëlqente t'i shihja ata plot ambicie, duke ditur se, në një farë mënyre, edhe unë kisha ndihmuar në formimin e tyre.
Si ka ndryshuar arsimi që nga fillimi i karrierës tuaj deri më sot?
Arsimi ka pësuar ndryshime të mëdha që nga koha kur fillova si mësues. Reforma të shumta janë ndërmarrë nga Ministria e Arsimit. Teknologjia ka pasur gjithashtu një ndikim të madh në procesin e mësimdhënies. Megjithatë, thelbi i arsimit ka mbetur i njëjtë: të ndihmojmë nxënësit të mësojnë, të rriten dhe të bëhen qytetarë të ditur dhe të përgjegjshëm.
Çfarë ka qenë më sfiduese gjatë këtyre viteve si mësues?
Sfida më e madhe ka qenë të ruaj motivimin dhe përkushtimin për t’i mësuar nxënësit në mënyrën më të mirë të mundshme. Përgjegjësia e një mësuesi nuk është vetëm të japë mësim, por edhe të edukojë dhe të formojë karaktere. Çdo nxënës ka sfidat dhe vështirësitë e veta, dhe ka qenë një detyrë e vazhdueshme të gjej mënyrën më të mirë për t’i nxitur dhe ndihmuar ata.
Çfarë ju ka pëlqyer më shumë te nxënësit tuaj ndër vite?
Më ka pëlqyer kur shihja përparimin e tyre, momentin kur një nxënës e kupton një koncept të vështirë ose kur arrin sukses pas shumë përpjekjesh. Gëzimi dhe krenaria në sytë e tyre ishin shpërblimi më i madh për mua. Më ka pëlqyer gjithashtu të ndërtoj marrëdhënie të forta me ta, të jem jo vetëm mësues, por edhe mentor dhe mbështetje për ta. Çdo brez ka qenë unik, dhe më ka bërë të ndihem me fat që kam pasur mundësinë të jem pjesë e udhëtimit të tyre arsimor.
A keni ndonjë mesazh për brezat e ardhshëm të nxënësve?
Po, mesazhi im është ky: arsimohuni! Arsimi është çelësi i zhvillimit tuaj dhe i përparimit të shoqërisë. Mundësitë janë të pafundme për ata që përpiqen me përkushtim dhe këmbëngulje.
Si e përshkruani marrëdhënien tuaj me nxënësit dhe kolegët?
Marrëdhënia ime me nxënësit ka qenë gjithmonë e bazuar në respekt dhe mirëkuptim. Kam tentuar gjithmonë të jem korrekt dhe i drejtë me ta, si gjatë orës mësimore, ashtu edhe në vlerësim. Me kolegët kam pasur një bashkëpunim të shkëlqyer, duke ndarë përvoja dhe këshilla me njëri-tjetrin.
A ka ndonjë nxënës ose klasë që ju ka lënë përshtypje të veçantë?
Po, ka pasur shumë nxënës dhe klasa të veçanta. Veçanërisht, më ka mbetur në mendje viti 2013, kur disa nxënës shkëlqenin në çdo aspekt, si në mësime, ashtu edhe në sjellje. Gjithashtu, klasa I-6, që sot është IV-6, gjenerata e 2025, gjenerata ime e fundit.
Çfarë planifikoni të bëni pasi të dilni në pension?
Pasi të dal në pension, dua të kaloj më shumë kohë me nipërit dhe mbesat e mia, t’i ndihmoj dhe përkrah në rrugëtimin e tyre. Do të jem gjithmonë i gatshëm t’i udhëzoj dhe t’i frymëzoj ashtu siç kam bërë me nxënësit e mi.
A mendoni se do të vazhdoni të përfshiheni në fushën e arsimit në ndonjë mënyrë?
Ndoshta do të qëndroj i lidhur me arsimin përmes këshillave dhe mbështetjes për brezat e rinj të mësuesve, por tashmë e ndiej se është koha që gjeneratat e reja të sjellin energji dhe ide të reja në këtë profesion.
Nëse do të kishit mundësi, a do të bënit diçka ndryshe në karrierën tuaj?
Nuk do të ndryshoja asgjë. Çdo sfidë dhe çdo sukses kanë qenë pjesë e një rrugëtimi të bukur që më ka bërë të ndihem i përmbushur.
Çfarë këshille do t’i jepnit një mësuesi të ri që sapo nis këtë profesion?
Të ketë durim dhe pasion për atë që bën. Të kërkojë mbështetje nga kolegët me përvojë dhe të mos ndalet kurrë së mësuari. Mësuesia nuk është thjesht një profesion, është një mision që kërkon përkushtim dhe dashuri për dijen.
Si do të dëshironit të kujtoheni nga nxënësit dhe kolegët?
Si një mësues i përkushtuar, i drejtë dhe i afërt me nxënësit, dua të më kujtojnë si dikë që i ka ndihmuar të besojnë në veten e tyre.
Çfarë do të thotë për ju kjo ndarje me shkollën dhe arsimin?
Është një ndjenjë e ëmbël dhe e hidhur njëkohësisht. Jam krenar për gjithçka që kam dhënë dhe për nxënësit që kam ndihmuar, por do të më mungojë klasa, atmosfera dhe ajo lidhja e veçantë që krijohet mes një mësuesi dhe nxënësve të tij.



Jo vetem emocione, por ndjenja nga me te thellat, me fali kjo intervistë pasi e lexova deri ne fund. Profesor Perparim Hani eshte nje nder profesoret me te dashur, te perkushtuar dhe te kujdesshem ndaj nxenesve dhe profesionit te tij. Me krenari e them, se ndihem me fat qe Ai ka qene profesori yne, dhe tashme shume e lumtur per te, te arrije t’i shijoj vitet e tij te pensionit. Falenderime nga me te perzemertat per ju Profesor, kemi qen me fat t’ju kemi Kujdestar.
Me shume respekt, nxenesja juaj, E.D !
- RREGJISTRIMIN E NXËNËSVE NË VITIN E PARË NË SHMK GJIMNAZIN DR.IBRAHIM TEMO-STRUGË PËR VITIN SHKOLLOR 2024/2025
- S H P A L L J E Për rregjistrimin e nxënësve në vitin e parë në SHMK Gjimnazin Dr.Ibrahim Temo-Strugë për vitin shkollor 2024/2025
- Paradën e maturantëve
- Vizitë në dializë
- Rregjistrimin e nxënësve në vitin e parë në SHMK Gjimnazin Dr.Ibrahim Temo-Strugë për vitin shkollor 2022/2023
Page 1 of 4











