.jpg)
Gjimnazi “Dr Ibrahim Temo” shënoi Ditën e shkollës Gjimnazi “Dr Ibrahim Temo” në Strugë sot me një sërë aktivitetesh ka shënuar patronatit, që lidhet me ditën e lindjes së rilindësit shqiptar, emrin e të cilit mban me krenari kjo shkollë.
Nxënësit dhe mësimdhënësit e gjimnazit, me këtë rast, kanë organizuar aktivitete të shumta, duke i bërë ato pjesë të një solemniteti mjaft dinjitoz, në formën e “Ditës së Hapur”.
Kështu, fillimisht, drejtuesit e shkollës dhe nxënësit vendosen buqeta me lule të freskëta në shtatoren e Dr Ibrahim Temos, që ndodhet në rrjedhën e Drinit të Zi dhe në oborrin e kësaj shkolle, ndërsa më pas drejtorja z. Besime Jonuzi përshëndeti të pranishmit e shumtë në këtë aktivitet, duke u zotuar se drejtuesit e shkollës, mësimdhënësit dhe nxënësit do të bëjnë gjithçka që edhe në të ardhmen kjo shkollë të vazhdojë të arrijë rezultate të larta në procesin edukativo-arsimor.
Ajo ftoi të pranishmit që t’i vizitojnë të gjitha këndet e lëndëve, të cilat ishin përgatitur me shumë kujdes nxënësit, të drejtuar nga mësimdhënësit e lëndëve përkatëse.
Vizitorë të këndeve, krahas të ftuarve, veteranë të arsimit dhe përfaqësues të Komunës dhe institucioneve tjera, ishin edhe nxënës dhe mësimdhënës të tyre nga shkollat 9 vjeçare, të cilët vitin e ardhshëm mund të zgjedhin pikërisht këtë vatër arsimi për të vijuar shkollën e mesme.
Ata, siç thanë vetë, e vlerësuan shumë të gjithë aktivitetin dhe sidomos të arriturat e nxënësve të prezantuara në këndet e lëndëve përkatëse. Në kuadër të aktiviteteve, ndërkaq u organizua edhe një test nga lënda e Kimisë, me pjesëmarrjen e nxënësve të tri gjuhëve arsimore, shqip, maqedonisht dhe turqisht.