Një jetë në shërbim të dijes
Biseduan: 
Edona Islami
Elda Dauti
Çfarë ju ka frymëzuar të zgjidhni profesionin e mësuesit?
Që në fëmijëri, profesioni i mësuesit më ka tërhequr shumë. Djali i dajës ishte mësues në shkollën fillore dhe gjithmonë më fliste për bukurinë dhe rëndësinë e kësaj pune. Ai, së bashku me familjen time, më inkurajoi që të vazhdoja shkollimin e mesëm dhe të lartë për të ndjekur këtë rrugë. Për mua, të ndihmoja brezat e rinj të mësonin dhe të rriteshin intelektualisht ishte diçka e bukur, dhe me kalimin e viteve, kuptova që kisha bërë zgjedhjen e duhur.
Cilat janë disa nga momentet më të paharrueshme gjatë viteve tuaja të mësimdhënies?
Gjatë gjithë këtyre viteve, kam përjetuar shumë momente të bukura dhe të paharrueshme. Një nga më të veçantat ka qenë shëtitja me vitet e treta dhe mbrëmjet e maturës, kur nxënësit po përgatiteshin për të hyrë në një kapitull të ri të jetës së tyre. Ishte një ndjenjë krenarie dhe emocioni i veçantë të ndaja me ta këshilla pozitive për të ardhmen. Më pëlqente t'i shihja ata plot ambicie, duke ditur se, në një farë mënyre, edhe unë kisha ndihmuar në formimin e tyre.
Si ka ndryshuar arsimi që nga fillimi i karrierës tuaj deri më sot?
Arsimi ka pësuar ndryshime të mëdha që nga koha kur fillova si mësues. Reforma të shumta janë ndërmarrë nga Ministria e Arsimit. Teknologjia ka pasur gjithashtu një ndikim të madh në procesin e mësimdhënies. Megjithatë, thelbi i arsimit ka mbetur i njëjtë: të ndihmojmë nxënësit të mësojnë, të rriten dhe të bëhen qytetarë të ditur dhe të përgjegjshëm.
Çfarë ka qenë më sfiduese gjatë këtyre viteve si mësues?
Sfida më e madhe ka qenë të ruaj motivimin dhe përkushtimin për t’i mësuar nxënësit në mënyrën më të mirë të mundshme. Përgjegjësia e një mësuesi nuk është vetëm të japë mësim, por edhe të edukojë dhe të formojë karaktere. Çdo nxënës ka sfidat dhe vështirësitë e veta, dhe ka qenë një detyrë e vazhdueshme të gjej mënyrën më të mirë për t’i nxitur dhe ndihmuar ata.
Çfarë ju ka pëlqyer më shumë te nxënësit tuaj ndër vite?
Më ka pëlqyer kur shihja përparimin e tyre, momentin kur një nxënës e kupton një koncept të vështirë ose kur arrin sukses pas shumë përpjekjesh. Gëzimi dhe krenaria në sytë e tyre ishin shpërblimi më i madh për mua. Më ka pëlqyer gjithashtu të ndërtoj marrëdhënie të forta me ta, të jem jo vetëm mësues, por edhe mentor dhe mbështetje për ta. Çdo brez ka qenë unik, dhe më ka bërë të ndihem me fat që kam pasur mundësinë të jem pjesë e udhëtimit të tyre arsimor.
A keni ndonjë mesazh për brezat e ardhshëm të nxënësve?
Po, mesazhi im është ky: arsimohuni! Arsimi është çelësi i zhvillimit tuaj dhe i përparimit të shoqërisë. Mundësitë janë të pafundme për ata që përpiqen me përkushtim dhe këmbëngulje.
Si e përshkruani marrëdhënien tuaj me nxënësit dhe kolegët?
Marrëdhënia ime me nxënësit ka qenë gjithmonë e bazuar në respekt dhe mirëkuptim. Kam tentuar gjithmonë të jem korrekt dhe i drejtë me ta, si gjatë orës mësimore, ashtu edhe në vlerësim. Me kolegët kam pasur një bashkëpunim të shkëlqyer, duke ndarë përvoja dhe këshilla me njëri-tjetrin.
A ka ndonjë nxënës ose klasë që ju ka lënë përshtypje të veçantë?
Po, ka pasur shumë nxënës dhe klasa të veçanta. Veçanërisht, më ka mbetur në mendje viti 2013, kur disa nxënës shkëlqenin në çdo aspekt, si në mësime, ashtu edhe në sjellje. Gjithashtu, klasa I-6, që sot është IV-6, gjenerata e 2025, gjenerata ime e fundit.
Çfarë planifikoni të bëni pasi të dilni në pension?
Pasi të dal në pension, dua të kaloj më shumë kohë me nipërit dhe mbesat e mia, t’i ndihmoj dhe përkrah në rrugëtimin e tyre. Do të jem gjithmonë i gatshëm t’i udhëzoj dhe t’i frymëzoj ashtu siç kam bërë me nxënësit e mi.
A mendoni se do të vazhdoni të përfshiheni në fushën e arsimit në ndonjë mënyrë?
Ndoshta do të qëndroj i lidhur me arsimin përmes këshillave dhe mbështetjes për brezat e rinj të mësuesve, por tashmë e ndiej se është koha që gjeneratat e reja të sjellin energji dhe ide të reja në këtë profesion.
Nëse do të kishit mundësi, a do të bënit diçka ndryshe në karrierën tuaj?
Nuk do të ndryshoja asgjë. Çdo sfidë dhe çdo sukses kanë qenë pjesë e një rrugëtimi të bukur që më ka bërë të ndihem i përmbushur.
Çfarë këshille do t’i jepnit një mësuesi të ri që sapo nis këtë profesion?
Të ketë durim dhe pasion për atë që bën. Të kërkojë mbështetje nga kolegët me përvojë dhe të mos ndalet kurrë së mësuari. Mësuesia nuk është thjesht një profesion, është një mision që kërkon përkushtim dhe dashuri për dijen.
Si do të dëshironit të kujtoheni nga nxënësit dhe kolegët?
Si një mësues i përkushtuar, i drejtë dhe i afërt me nxënësit, dua të më kujtojnë si dikë që i ka ndihmuar të besojnë në veten e tyre.
Çfarë do të thotë për ju kjo ndarje me shkollën dhe arsimin?
Është një ndjenjë e ëmbël dhe e hidhur njëkohësisht. Jam krenar për gjithçka që kam dhënë dhe për nxënësit që kam ndihmuar, por do të më mungojë klasa, atmosfera dhe ajo lidhja e veçantë që krijohet mes një mësuesi dhe nxënësve të tij.



Jo vetem emocione, por ndjenja nga me te thellat, me fali kjo intervistë pasi e lexova deri ne fund. Profesor Perparim Hani eshte nje nder profesoret me te dashur, te perkushtuar dhe te kujdesshem ndaj nxenesve dhe profesionit te tij. Me krenari e them, se ndihem me fat qe Ai ka qene profesori yne, dhe tashme shume e lumtur per te, te arrije t’i shijoj vitet e tij te pensionit. Falenderime nga me te perzemertat per ju Profesor, kemi qen me fat t’ju kemi Kujdestar.
Me shume respekt, nxenesja juaj, E.D !